Nuk mund të themi se ishte ndeshja e përsosur, por padyshim ishte shumë e mirë. Armando Broja vazhdon të bindë gjithnjë e më shumë se meriton të jetë një lojtar i spikatur i kampionatit më të fortë të botës, Premier Ligës angleze, dhe jehona për paraqitjen e tij ndaj Brajtonit ishte e madhe. Tifozët në rrjetet sociale theksojnë se shqiptari ka po aq gola në Premier Ligë sa Romelu Lukaku, i cili u mor për 115 milionë euro nga Çelsi, i cili e huazoi Brojën tek Sauthemptoni. Mjaft përkrahës të Bluve të Londrës kërkojnë që klubi ta marrë sërish në ekip sa më shpejt që të jetë e mundur.
Sulmuesi u vlerësua si lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat, dhe “Deili Meil” i dha notën 8, si askush tjetër ndër 27 lojtarët që u aktivizuan. Gjithsesi, lojtari kuqezi pati mundësi të tjera për të shënuar, duke mos ia dalë dhe padyshim që trajneri i tij, Hazenhytl do t’i heqë vërejtje për të qenë më efektiv përpara portës. “Mendoj se i merituam tri pikët, – pranoi ai, – ne luajtëm shumë mirë, e dominuam ndeshjen, por goli i pësuar ishte si një grusht në stomak. Mund të kisha shënuar edhe nja dy gola të tjerë, dhe e di se në një ndeshje tjetër do të jem në gjendje që ta bëj”.
Broja ka 3 rrjeta në Premier deri tani, dhe 5 për Sauthemptonin këtë edicion në të gjitha konkurrimet. Me këto statistika, 20-vjeçari bëhet i dyti lojtar më i ri në historinë e Premier Ligës që ka 3 gola në 3 ndeshje si titullar, duke qenë 20 vjeç e 85 ditë. Po ashtu, ai është më i miri këtë sezon në kampionatin anglez për lojtarët deri në moshën 20 vjeç.
Sfidanti.al