Prag Itali-Spanjë, kush do ta fitojë sfidën e madhe latine në Euro 2020?!

Një “finalisima” e quajnë në të dyja vendet. Është një dhuratë për Europianin kjo gjysmëfinales mes Italisë e Spanjës, një sfidë mes dy kombëtareve të mëdha latine. Në orën 21:00 në “Uembli” pritet të luhet një përballje spektakolare e dy stileve që synojnë sulmin. Italia jepet favorite, veçse parashikimet në këto raste janë tepër të vështira. Ky dueli cilësohet në Apenine si prova e pjekurisë për të kaltrit, që kanë gati 10 vjet larg pretendimeve.

Sfida mbetet mesfusha, ku “Furitë e kuqe” kanë Pedrin dhe Sergio Busketsin, por edhe të kaltrit përgjighen me Verratin, Barelën dhe Jorginjon. Mançini nuk ka vetëm mbrojtësin e dëmtuar Spinacola, në vend të të cilit luan Emerson. Tek Spanja, mungesë është sulmuesi Sarabia, ndërsa mbrojtësi Laporte mbetet në dyshim. “Ne jemi Italia dhe ne kemi stilin tonë, – thotë Mançini, – Spanja është një skuadër e madhe, një shkollë futbolli, por ne nuk mund t’i imitojmë. Luis Enrike është trajner i shquar dhe ekipet e tij luajnë futboll të shkëlqyer. Edhe ne duam të luajmënë sulm”.

Trajneri spanjoll, Luis Enrike ngacmohet për incidentin e Botërorit 1994, kur u godit me bëryll nga ndihmëstrajneri i sotëm italian, Tasoti, por theksoi se kjo gjë sot është e harruar, ndërsa analizon ndeshjen. “Dueli i parë do të jetë për zotërimin e topit, – thotë Luis Enrike, – ky është objektivi ynë, sepse ne e kemi jetik zotërimin e topit. Italia mund të përshtatet edhe pa top. Do të jetë një betejë e fortë, një ndeshje e madhe dhe një shans për finalen e Europianit”.

Italia ka dalë vetëm një herë kampion, kundrejt tri herë të Spanjës, por kjo është histori. Dy ekipet janë ndeshur shpesh në faza finale të turneve të rëndësishëm, dhe të kaltrit kanë epërsi, me më shumë fitore e kualifikime. Gjithsesi, fitorja më e madhe është e spanjollëve në finalen e Euro 2012, 4-0, kur fituan edhe titullin, po ashtu në 14 ndeshjet e fundit italianët kanë fituar vetëm 2 herë.

Kufizimet për Kovidin kanë krijuar probleme. Rreth 6 400 bileta jepen për italianët, por vetëm pë rata që jetojnë në Britaninë e Madhe dhe në Irlandë. Një sasi e ngjashme do të jetë edhe për tifozët spanjollë, ndonëse të dyja palët do të jenë në pakinë mes 60 000 tifozëve në “Uembli”.

Sfidanti.al