Ishte jo vetëm një sundim i Red Bullit në shtëpinë e tij, por edhe një goditje e dyfishtë për kampionët e botës në fuqi, gjermano-anglezët e Mercedesit. Makina, që ishte e pakapshme për kaq shumë vjet, detyrohet pas shumë kohësh të mos ketë asnjë nga pilotët në “podiumin” e provave zyrtare. Ljuis Hamilton doli në vend të katërt, rreth 3 të dhjetat më i ngadalshëm se Maks Verstapeni, ndërsa përpara tij ishin edhe Lando Norris me Meklaren dhe Sergio Perez me Red Bull. Mercedesi tjetër, ai i Valteri Botasit, doli në vendin e 5-të.
“Nuk jam plotësisht i kënaqur, – tha Verstapen pas provave zyrtare, – në xhirot e fundit patëm probleme dhe bëra gabime, por fitorja e tretë radhazi në provat zyrtare është diçka që më bën të lumtur. Tani dua që të përfundoj veprën time”. Vepra përfundon me fitoren në garën e sotme në pistën e Shpilbergut, ndërsa zhvillohet Çmimi i Madh i Austrisë. Besohet se piloti holandez do t’ia dalë, aq më tepër që Hamiltoni duket tepër realist, pra edhe fatalist. “Mendoj se Maksi do ta ketë të lehtë, – tha kampioni i botës, – ne nuk mund ta kapim Red Bullin në garë, dhe gara ime është me dy pilotët që janë përpara meje”. Verstapen kryeson renditjen e Botërorit të Formula 1 me 18 pikë më shumë sesa anglezi.
Sfidanti.al