Tenis, Gjokoviçi ende nuk po e merr dot veten

Novak Gjokoviçi, as mbas një pauzimi të gjatë, nuk po e merr dot veten plotësisht, duke qenë se atij ende nuk i është shëruar plotësisht bërryli i dorës. Tenisti më i mirë serb hoqi dorë, në momentin e fundit, nga pjesëmarrja në turneun revial të Abu Dabit, ndërkohë që, dje, u njoftua se ai nuk do të marrë pjesë as në turneun e Dohas, ku ai duhej që të merrte pjesë, për herë të parë mbas mungesës së tij të gjatë, në fillim të vitit 2018.

“Për fat të keq, gjendja e bërrylit nuk është përmirësuar ende aq sa duhet, kështu që unë jam i detyruar që të heq dorë nga pjesëmarrja ime në turneun e Dohas. Unë do të kthehem në fushën e tenisit, kur të jem gati 100 për qind dhe mendoj se kjo kohë do të vijë shumë shpejt”, deklaroi Gjokoviçi. Por, megjithatë, duke pasur parasysh se ai e ka shtyrë disa herë kthimin në fushën e tenisit, ekziston dyshimi, nëse ai do të jetë në gjendje që të marrë pjesë në Australian Open, turneu i parë Grand Slam në vitin 2018 që do të fillojë më 15 janar.

Sfidanti.al