Joakim Lëv: Gjermania do të jetë “e persekutuar” në Botëror

Nuk ka ndodhur kurrë që Gjermania të ketë mbrojtur titullin botëror në futboll dhe trajneri i saj, Joakim Lëv, është shumë i shqetësuar pasi dëshiron të gjejë mënyrën për t’ia dalë. Kampionët në fuqi, e fituan Kupën e Botës edhe në 1954, 1974 e 1990, por në turneun pasardhës dështuan. “Mbrojtja e titullit do të na japë një dimension tjetër, – shprehet Lëv, – Gjermania do të jetë e persekutuar në Botëror si kurrë më parë, dhe do të duhet të luftojmë në mënyrë mbinjerëzore nëse do të duam të kemi sukses”.

Lëv shpreson që deri në qershor të ketë gati portierin titullar, Manuel Nojer, dhe lojtarin ndoshta më të talentuar gjerman, Marko Rojsin, që të dy aktualisht të dëmtuar. Po ashtu, ai uron që elementë thelbësorë si Humels e Kros të mos kenë probleme, ndërsa beson se skuadra do të bëhet edhe më e fortë me afrimet e reja si Verner, Sane apo Kimih.

“Do të duhet të kemi ambicie të madhe, – thekson Lëv, – duhet të dimë se Gjermania ka shumë më tepër për të humbur sesa të tjerët, pasi është kampione e botës. Rivalët tanë, mesa duket, do të jenë Brazili, Franca, Spanja, Anglia apo Argjentina”.

Sfidanti.al