Nikola Jokiç ia del sërish, shpallet Lojtari më i mirë i NBA-së!

Që nga viti 1983 nuk kishte ndodhur që një basketbollist qendër të fitonte këtë çmim të lartë individual në këtë ritëm. Nikola Jokiç përsëriti arritjen e madhe të Mozes Malounit duke ia dalë për herë të dytë radhazi Lojtari më i mirë i sezonit në NBA (për sezonin e rregullt), ndonëse zyrtarisht kjo gjë nuk është njoftuar. Është gazetari Adrian Vojnarovski i televizionit ESPN që lajmëron nga burimet e tij, dhe Jokiç ka lënë pas Janis Adetokumbon e Zhoel Embijdin në konkurrimin final. Basketbollisti nga Serbia e fitoi çmimin edhe vjet, duke ndjekur gjurmët e Janis Adetokumbos që e fitoi gjithashtu dy herë radhazi në 2019 e 2020. Jokiç pati mesatarisht 27.1 pikë, 13.8 topa në tabela e 7.9 asiste për ndeshje, dhe u bë i pari lojtar në historinë e NBA-së që pati mbi 2 000 pikë, mbi 1 000 topa në tabela e mbi 500 asistë në një sezon të rregullt. Rekordin e fitoreve në këtë kategori e mban legjenda e Los Anxhelos Lejkërsave, Karim Abdul-Xhabar me 6 të tilla, ndjekur nga kapiteni i madh i Boston Sëlltiksave, Bill Rasëll dhe “Ajrori” Majkëll Xhordan me nga 5. i paharruari Uilt Çembërlen dhe “Mbreti” i sotëm i basketbollit, Lebron Xhejms, kanë nga 4 fitore.

Sfidanti.al