Kjo është padyshim seria më e bukur e plej ofit në basketbollin amerikan kohët e fundit. Një Bruklin Nets-Miluoki Baks është përballje mes dy ekipeve me shumë talent, por në përballjen e parë fitoi më shumë zgjuarsia kolektive. Edhe pse vendasit humbën njërin nga më të mirët, Xhejms Hardenin, që në minutën e parë, ata ia dolën që të fitonin 115-107, madje duke u shkëputur në periodën e tretë. Kevin Durant (29 pikë) dhe Kajri Irving (25) mbuluan mungesën e “Mjekrës”, por edhe Harris shënoi 19 pikë, dhe Blejk Grifin pati 18 pikë e 14 topa në tabela. Duranti shtoi 10 topa në tabela, Irvingu pati 8 asistë, por gjëja kryesore e Netsave ishte se ata luajtën shumë shpejt. Një basketboll me “100 km në orë”, dhe kombinativ ishte arma kryesore ndaj Miluokit.
Janis Antetokumbo ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 34 pikë si dhe kapi 11 topa në tabela, por Miluoki nuk gjuajti mirë për tri pikë, me vetëm 6 realizime në 30 tentativa. Sidomos Kris Midëllton nuk ishte në mbrëmjen e tij duke i humbur të 5 gjuajtjet tripikëshe. “Duhet të mbrohemi më mirë si skuadër ndaj këtij kundërshtari”, – tha Antetokumbo më pas. Trajneri Badenholzer shtoi se “ne duhet të jemi më mirë në mbrojtje, dhe do të jemi më mirë të hënën”.
Sfidanti.al