Nuk është rekord botëror, por shumë pranë tij. E tillë shifra financiare që Dortmundi kërkon për kartonin e Erling Halandit, siç bëjnë me dijë mediat spanjolle. Sulmuesi 20-vjeçar norvegjez është një nga dy yjet e rinj më të mëdhenj të momentit, bashkë me Kilian Mbapenë e Francës, dhe kandidatët për ta marrë sezonin tjetër janë të shumtë. Mançester Junajtid, Mançester Siti, Çelsi dhe Reali i Madridit janë disa nga klubet që interesohen për shërbimet e futbollistit. “Haland, 200 milionë”, është titulli i të përditshmes së Madridit, “AS”, që komenton vendimin e Borusias së Dortmundit, duke e quajtur pengues për klubet që dëshirojnë sulmuesin norvegjez.
Gjigandi i sulmit ka shënuar 57 gola në 59 ndeshje për skuadrën e Bundesligës, ndërsa në Europë ka 24 gola në vetëm 22 sfida. Ai cilësohet si e ardhmja e sulmit dhe interesimi është shumë i madh në Premier Ligë, ndërsa Reali do të mendojë për të, vetëm nëse nuk merr dot Mbapenë. Borusia dëshiron të përfitojë sa më shumë, sepse sipas klauzolës në kontratë, vlera e kartonit të Halandit në verë 2021 do të jetë rreth 80 milionë euro.
Sfidanti.al