Me shifrat nuk jemi keq, por e ndjejmë edhe vetë se nuk po kënaqemi. Kombëtarja shqiptare tregoi edhe në miqësoren e luajtur këtë të shtunë në Uells se çalon në sulm, aq sa nuk është në gjendje të fusë topin në kuadrat. Për më shumë se 90 minuta në stadiumin e Kardifit, edhe pse po luhej thjesht një test miqësor, lojtarët kuqezinj nuk bënë asnjë gjuajtje brenda portës së vendasve. Madje, ekipi përfaqësues pati vetëm një moment kur mund të kishte shënuar, në minutën e 16-të me Rej Manajn, ndërsa për gati 80 minuta nuk ia doli më asnjë herë.
Dakord, trajneri Edi Reja ka krijuar një ekip të fortë në fazën mbrojtëse, krejt ndryshe nga paraardhësi i tij, Panuçi. Me treshen Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti, Shqipëria nuk pranon lehtë gol, siç bëri në Uells, por siç ndodhi edhe ndaj Anglisë në eleminatoret e Kupës së Botës. Reja, gjithsesi, u shpreh i kënaqur pas ndeshjes.
Duke u kthyer tek ndeshja kundër Anglisë në “Arenën Air Albania”, kombëtarja luajti gjithashtu “bunker”, duke mos bërë gjithashtu asnjë gjuajtje në portë, ndonëse pati dy momente për të shënuar me Uzunin dhe pas depërtimit të Hysajt, kur as Uzuni dhe as Broja nuk e arritën dot topin. Edhe në dy sfidat e tjera eleminatore të Kupës së Botës, të fituara 1-0 në Andorrë dhe 2-0 në San Marino, kuqezinjtë nuk bindën me lojë. Përsa i përket rezultateve jemi kënaqshëm, duke llogaritur edhe barazimin jashtë fushe në Uells, por ndryshe nga koha e De Biazit, Shqipëria nuk di të shkëlqejë në sulm.
Sfidanti.al