A do të mundet Rozher Federer të arrijë në 21 Grand Sleme në karrierë si rekordmen sërish absolut, apo Novak Gjokoviç do ta barazojë atë dhe Rafael Nadalin, si një treshe rekordmene e tenisit botëror me nga 20 Grand Sleme secili? Kjo do të mësohet të dielën e ardhshme (apo ndoshta edhe më parë), ndërsa dy tenistët e mëdhenj kanë arritur në çerekfinalen e Uimbëlldonit. “Nuk dua të mendoj për këtë gjë tani, – thotë Nole, – padyshim është faktor motivimi, por gjërat duhen ekuilibruar. Jam i nderuar që jam pjesë e kësaj gare, pra që mund të jem rekordmen i titujve dhe të jem tenisti më i madh i historisë”.
Gjokoviç ndeshet me hungarezin Marton Fuçoviç sot në orën 14:30 në fushën qendrore në Uimbëlldon, ndërsa Federeri do të ketë përballë polakun Hubert Hurkaç në orën 16:30, gjithashtu në fushën qendrore, edhe pse gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e sfidës së serbit. Dy gjigandët nuk do të ndeshen me njëri-tjetrin deri në finale, nëse do të arrijnë deri aty. Nëse fiton, Gjokoviç do të ketë përballë fituesin e çiftit Haçanov (Rusi)-Shapovalov (Kanada), ndërsa zvicerani do të gjejë në gjysmëfinale triumfuesin e duelit Berretini (Itali)-Aliasim (Kanada).
Sfidanti.al