Boksi do të thyejë rekordet me sfidën Kliçko-Xhoshua

Një “Ndeshje e Shekullit” ndjek tjetrën. Në futboll nisi me Angli-Skoci dhe vazhdoi me Angli-Hungari, ndërsa në boks filloi me Muhamed Aliun ndaj Soni Listonin dhe, për momentin do të përfundojë me betejën me Vladimir Kliçkos e Entoni Xhoshuas. Nuk mund të thuhet se duhet të pritet përballja më e madhe e historisë, besohet se në krye do të mbetet ajo mes Muhamed Aliut dhe Xhorxh Foremanit, veçse synohet të thyhet të paktën një prej rekordeve të këtij sporti.

Deri tani janë shitur 80 000 bileta në stadiumin “Uembli” për duelin e 29 prillit, dhe pritet që edhe shifra 90 000 të kalohet. Organizatorët po mendojnë një mënyrë për të rritur kapacitetin e stadiumit më të famshëm të futbollit në botë, dhe kjo do të thotë se mund të shiten mbi 100 000 bileta. Me këto shifra, luftimi do të jetë më i madhi në historinë e boksit profesionist britanik. Vetëm një kacafytje do të jetë e paarritshme edhe këtë herë, pasi rekordi do t’i mbetet ndeshjes në stadiumin “Azteka” të Meksikos, mes meksikanit Hulio Sezar Çaves dhe Greg Hogenit, fituar nga ai pari. Në shkallët e stadiumit, rrethuar me tel me gjemba dhe me kanal uji, ishin 132 274 spektatorë në 1993.

Kliçko është 40 vjeç dhe Xhoshua “vetëm” 27, dhe diferenca duket edhe në ndeshjet e tyre. Ukrainasi ka 64 fitore (53 me KO) dhe vetëm 4 humbje, ndërsa anglezi ka 18 fitore në 18 ndeshje të zhvilluara deri tani.