Ka nisur festa për të vegjëlit dhe janë mërzitur “perënditë e futbollit” pas Botërorit me 48 skuadra më 2026-tën, që do të mbahet mend si më i populluari në krahasim me të tjerët. Mirë në lojë që ka vdekur filozofia e vjetër se “peshku i madh e ha peshkun e vogël”, por edhe politikisht, ora po punon për ekipet e vogla. Sa më shumë pjesëmarrës në Europian apo në Botëror, aq më shumë para nga e drejta televizive, kështu që nuk është çështje zemre, por vetëm parash. Dhe kur flitet për to, FiFA dhe UEFA janë gati të “vrasin” edhe peshkun e madh, siç ndodhi këtë herë, kur bota mësoi se shtëpia e botërorit do të mblidhte 48 skuadra. Një mallkim për ekipet e mëdha, një bekim për të vegjëlit. Ndërsa Liga Spanjolle kërkon të padisë FIFA-n, deri në Gjykatë, për këtë prepotencë në pjesëmarrje, madje akuzuan shefin Infantino se po imiton Blaterin, që dredhonte me fjalën. Ndersa, këtej nga anët tona, është krejt ndryshe, janë gati t’i bëjnë një bust shefave të rinj, për këtë dhuratë me përmasa botërore.
Trajneri De Biazi, në një intervistë lidhur me 2026-tën, ka shpallur haptaz lumturinë për këtë tortë historike që u ofrohet edhe ..proletarëve të futbollit. “ Është një lajm që më bën shumë të lumtur” – ka thënë trajneri,i cili mund të fliste krejt ndryshe , nëse do të ishte ulur në stolin e Italisë, e cila po si Spanja, ka rebeluar kundër shortit populist. Por loja është me driblime dhe kjo nuk ndodh vetëm në fushë, por ndizet edhe më nga fjalët. Megjithatë, Xhani duket lule kur gëzon për botërorin me dyer të hapura, ngaqë shefi i tij, zbulon fundin e “përjetësisë” , qe “fatalisht” përkoka pikërisht me këtë Botëror: “ Shkruani – ka thënë me pompozitet shefi gjatë drekës me gazetarët – Bashkë do të jemi edhe në Botërorin e 2026-tës”. Fjalë që krijojnë mbresa, sidomos kur kujton kontributin e tij në “mrekullinë Europiane” dhe kur flitet për një tavë të madhe, ku do të hanë 48 ekipe, pse të mos jemi edhe ne. Këtë herë nuk do të shkojmë nga qielli me dron, as nuk do t’i biem shkurt nga Armenia , do të provojmë një rrugë të re, ku në fund të flitet për futbollistët dhe ca më pak për ata që nuk i heqin rrobat e supermenit…
G.Sinemati