Trajneri i Haitit, Sebastien Migne, e sheh me optimizëm aventurën e madhe të vendit të tij në Kupën e Botës, pavarësisht vështirësive të shumta që shoqërojnë kombin ishullor të trazuar nga krizat. “Sigurisht që është një grup i fortë. Por, nëse e shohim nga ana pozitive, do të jemi në qendër të vëmendjes dhe ky është një shpërblim i madh për djemtë”, tha ai.
Ndeshjet kundër Skocisë, Brazilit dhe Marokut janë një arritje jo vetëm për lojtarët, por për të gjithë popullin haitian, i cili jeton dhe merr frymë me futbollin. Mesfushori Jean-Ricner Bellegarde kujton se kualifikimi solli gëzim në vend për disa ditë.
“Kur u kualifikuam, vendi ishte i lumtur për një ose dy ditë. Ndoshta mund ta bëjmë sërish këtë,” tha ai.Bellegarde, që luan për “Wolverhampton Wanderers F.C” në Angli., ka një të përbashkët me trajnerin e tij: asnjëri nuk ka qenë ndonjëherë në Haiti. “Është e pamundur sepse është shumë e rrezikshme”, tha Migne.
Ai shpjegoi se zakonisht jeton në vendet ku punon, por në Haiti kjo nuk është e mundur, pasi fluturimet ndërkombëtare drejt vendit janë ndërprerë. Edhe stadiumi kombëtar në Port-au-Prince është mbyllur që nga shkurti i vitit 2024. Zona përreth stadiumit, ashtu si rreth 90 për qind e kryeqytetit, kontrollohet nga bandat kriminale.
Dhuna, korrupsioni, uria dhe paqëndrueshmëria politike kanë shndërruar jetën e 12 milionë banorëve të Haitit në një sfidë të përditshme. Megjithatë, futbolli vazhdon të ofrojë një dritë shprese.
“Sidomos për të rinjtë që rriten në Haiti në këto rrethana, futbolli u jep besim,” tha Bellegarde. Për shkak të situatës së sigurisë, ndeshjet kualifikuese si vendas u luajtën në Curaçao, shpesh para vetëm 500 tifozëve. Edhe në Kupën e Botës pritet një situatë e ngjashme.
Për shkak të kufizimeve të hyrjes në SHBA, haitianët pa vizë nuk mund të udhëtojnë drejt vendit organizator. Për më tepër, çmimet e biletave dhe kostot e udhëtimit janë jashtë mundësive për shumicën e tyre. Kështu, pjesa më e madhe e tifozëve do ta ndjekë paraqitjen e dytë historike të Haitit në Kupën e Botës, pas vitit 1974, vetëm nga ekranet televizive.
Krahas Bellegarde, figurat kryesore të ekipit janë mbrojtësi Johny Placide dhe sulmuesi Duckens Nazon. Ky i fundit ka shënuar 44 gola në 78 ndeshje me kombëtaren. Në skuadër bën pjesë edhe portieri Josue Duverger, i cili luan për klubin gjerman “Cosmos Koblenz”.
Nën drejtimin e Migne, Haiti ka fituar disiplinë, unitet dhe vetëbesim, duke grumbulluar mesatarisht 1.83 pikë për ndeshje në 24 takime.

