Kristiano Ronaldo duhet të kënaqet me vendin e shtatë, ndërsa numri 1 është … Nejmar. Ylli i Barcelonës është shpallur futbollisti më i vlefshëm i botës nga “Observatori i Futbollit”, në një listë që përfshin padyshim emrat më të mëdhenj. Kjo renditje, që tregon sesa duhet të paguhet për kartonin e secilit prej yjeve, sheh Lionel Mesin në vendin e dytë. Nejmar ka vlerën prej 247 milionë eurove, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës. Mesi vlerësohet sot 171 milionë euro, plot 40 milionë më pak sesa ishte në janar 2016.
Në vendin e tretë është Pol Pogba, blerja realisht më e shtrenjtë e botës bërë nga Mançester Junajtid, i cili vlerësohet me 155 milionë euro. Pas francezit vijnë Antuan Grizman, Luis Suarez, Harri Kejn i Totenhemit, Kristiano Ronaldo (126 milonë euro), dhe dhjetë vendet e para plotësohen nga Paulo Dibala, Dil Ejli i Totenhemit dhe Eden Hazar i Çelsit. Parimi i “Observatorit” është që sa më i vjetër të jetë lojtari, aq më pak vlen. Kjo bëri që të tillë si Zllatan Ibrahimoviç apo Uejn Runi nuk hynë dot në 100 vendet e para.
Në vendin e 63-të u rendit shqiptari i Zvicrës dhe mesfushor i Arsenalit, Granit Xhaka me vlerën 46 milionë euro.