– Përse presidenti Duka, në intervistën e fundit në ekran, ka bërë një autogol cilësor me përqindjet e ndeshjeve të trukura nga Skënderbeu?
– Sepse ka habitur hesapi i tij se Skënderbeu, në 90 përqind të ndeshjeve që ka luajtur nuk ka trukuar rezultatin, dhe i ka shpëtuar 10 përqindshi ..që është i frikshëm nëse e dëgjon UEFA!
– Përse pas ndeshjes “dasëm” të Tiranës me Skënderbeun janë shtuar zërat se,. tani e tutje, bardheblutë do të luajnë për titullin kampion?
– Sepse në futbollin tonë ka më shumë eufori sesa kujtesë dhe trajneri Daja ka të drejtë të tentojë të shfryjë tollumbacen pas fitores me kampionët…
– Përse në fillim të sezonit thuhej me bujë se blerja më e spikatur e Flamurtarit ishte trajneri Magani dhe, tani, pas 4 golave të Partizanit, Gashi ka dorëzuar çelësat?
-Sepse në Vlorë kanë zhgënjyer futbollistët edhe në kohën e thesit me para, kur ishte Gjika, dhe jo tani që paskan 3-4 muaj pa marrë rrogat…
– Përse tek Partizani pas fitores së pasur me gola në “Elbasan Arena” ndaj Flamurtarit kanë ndërruar parrullat dhe dëgjohen thirrjet: “Rroftë Bobi”?
-Sepse vetë Starova pranon se ka frikë të jetë i lumtur në krye të “demave” ngaqë, herën e fundit, e kanë larguar kur kishte një varg fitoresh dhe .. vetëm një barazim!
– Përse trajneri Cungu i Vllaznisë, edhe pas humbjes nokaut me Laçin, ka përsëritur idenë se futbollistët e tij bëjnë dhurata të çmuara për kundërshtarët?
– Sepse nuk janë vetëm futbollistët që po imitojnë “Plakun e Vitit të Ri”, por edhe drejtuesit, dhe Cungu, kur ngritën valixhet dhe shkuan në Korçë, pa fjalë dhe të dorëzuar, për të lëshuar hije në fushë..
– Përse Bogdani, ish-sulmuesi i Kombëtares, njeriu i stafit të De Biazit, paska thënë se futbollistit të Tiranës, Mervil i duhet një pasaportë shqiptare?
– Sepse është në stilin e Kombëtares që të peshkojë futbollistë të gatshëm dhe Bogu harron se si arriti vetë në dyert e përfaqësueses!