Të gjithë e mbajnë mend kampionatin e vjetshëm të Kategorisë së Parë, në veçanti fazën e tretë të tij, ku në 90% të rasteve nuk kishte më ndeshje të luajtura, por vetëm rezultate të paracaktuara, saqë i gjithë edicioni u kthye në qesharak. Në të dy grupet, “dhuratat” jepeshin aq hapur, saqë situata doli jashtë kontrollit. Aq shumë e mallkuan atë që po ndodhte, madje edhe vetë ata që shitën e blenë, saqë FSHF vendosi t’i bëj rikonstruksion skemës ekzistuese të zhvillimit të aktivitetit, duke sajuar një lloj fjalëkryqi që i ka hutuar pjesëmarrësit. Kështu, dy fazat e para do të luhen normalisht me sistem vajtje-ardhje, ndërsa në fazën e tretë, dy grupet do të ndahen me dy minigrupe nga pesë skuadra, ku të parat do të vazhdojnë garën për të fituar të drejtën e kalimit në Superiore, ndërsa të tjerat për të evituar rënien një kategori më poshtë. Në këtë fazë, çdo skuadër do ta vazhdojë kampionatin me gjysmën e pikëve të grumbulluara në dy fazat e para, duke humbur shumë nga çfarë mund të kesh fituar edhe ndershmërisht në fushën e lojës. Pra, nëse i ke mbyllur fazat e para me 40 pikë të fituara, të tretën do ta nisësh me 20, ndërsa nëse ke fituar 31 pikë, do të vazhdosh me 16, duke e ngushtuar artificialisht diferencën.