Përpara fillimit të ndeshjes Angli – Shqipëri, një pjesë e tifozëve vendas në tribunën qëndrore të “Uemblit”, veç emrave të futbollistëve të tyre thërrisnin edhe atë të Armando Brojës, aq sa e detyruan të bashkohej me ta për pak minuta. Ndërsa ne sot entuziazmohemi me golat e tij në Premier League, por vetëm një muaj më parë nuk u treguam aq të ndjeshëm, për trajtimin që iu rezervua një futbollisti 19-vjeçar, plot me talent. Trajneri i Kombëtares, gjithnjë nëse i merr vendimet i vetëm, nuk e vlerësoi personalitetin e Brojës, i përçmoi sakrificat e tij për të arritur deri këtu dhe e lëndoi shumë, duke e lënë të vetëm në tribunë, megjithëse është i vetmi futbollist i yni që aktivizohet në nivelin më të lartë të futbollit anglez, madje ka lindur jo shumë larg stadiumit mitik të Londrës. Duke përjashtuar ndeshjet ndaj Andorrës dhe San Marinos, ku të gjithë kundërshtarët tanë morrën pikët e plota, ky lloj Armando, me golat ndaj Hungarisë, na bëri të marrim 6 pikët e vetme të vërteta, ndërsa “mësuesit” e tij u kujdesën t’i ulnin sa më shumë minutat e aktivizimit dhe në fund e trajtuan me një mllef të turpshëm.
Rei Manaj shënoi golin e parë në Serinë A dhe çfarë hareje që shpërtheu, por edhe ai nuk pati një fund të lumtur në “erën Rea”. Fillimisht, në korridoret e Kombëtares thuhej se ishte një nga të preferuarit e teknikut tonë të moshuar, ndërsa për ndeshjen më të rëndësishme të të gjithë fushatës eleminatore nuk iu dërgua qoftë edhe një ftesë për t’u bashkuar me shokët e ekipit. Për Nedim Bajramin, një tip futbollisti që vërtetë na mungon, FSHF-ja u mburr me një gjyq me përfundim të suksesshëm, për të fituar të drejtën e shërbimeve të tij, por edhe fantazisti i Empolit nuk arriti ta bindë trajnerin Reja. Pothuajse i njëjti fat iu rezervua edhe Ivan Balliut, prej kohësh një titular i padiskutueshëm në La Liga. Madje, në rastin e tij, justifikimi për mosgrumbullimin ndaj Anglisë ishte qesharak: “Nuk u thirr me marrëveshje”. A mundet që një futbollist të arrijë në konsesus për të mos luajtur futboll, aq më shumë me Kombëtaren e aq më shumë ndaj një prej përfaqësueseve më të forta të Globit? Dhe për të gjitha këto e të tjera, përfundimi në “Uembli” nuk kishte si të ishte i ndryshëm… Ndërkohë që tifozët shqiptarë bënë nja dy foto dhe u rehatuan në ulëset e tyre, e gjetën ndeshjen 3-0, siç nuk do të na kishte bërë përshtypje vetëm dekada më parë.