Mos kjo nënkupton që do të ketë një përplasje? Kështu dyshojnë mediat britanike që padyshim janë tifoze me Ljuis Hamiltonin, ndonëse nuk e thonë hapur. Të dielën do të jetë finalja e sezonit në Formula 1 mes Maks Verstapenit dhe kampionit të botës, në garën e fundit në Abu Dabi dhe holandezi i Red Bullit ka vetëm një mënyrë për të fituar titullin, të mos lejojë që anglezi të dalë përpara tij për të marrë më shumë pikë. Dy rivalët kanë të njëjtën sasi pikësh, por Verstapeni ka 9 fitore ndaj 8 të Hamiltonit, kurse ky i fundit ka një makinë më të mirë, siç është Mercedesi.
Babai i Verstapenit, Jos, thotë se i biri do të bëjë gjithçka për të dalë kampion i botës. “Nëse do të vijë puna tek çështja nëse Maksi do ta nxjerrë Ljuisin nga gara, unë nuk mendoj se do të ndodhë, – thotë Josi, – Maksi dëshiron absolutisht që të fitojë, padyshim që ai do të bëjë gjithçka për t’ia dalë, do të synojë ta mundë, kjo është e qartë. Do të jetë një garë emocionuese”. Dy pilotët patën disa incidente siç ndodhi në Silverstoun ku iu vu faji Hamiltonit, apo në Itali ku nuk u përcaktua një fajtor, e së fundi në Arabinë Saudite ku u qortua Verstapeni, por pa ndëshkim.
Sfidanti.al