Tifozët dhe përçarja e Kombit përmes… futbollit

FIFA dhe UEFA kanë një mesazh të fuqishëm: “Futbolli është i barabartë për të gjithë, futbolli na bashkon.” Një slogan i prekshëm dhe masivisht i sponsorizuar nga këto dy institucione “hekuri” të futbollit botëror. Por, mes fjalëve dhe veprave qëndron një humnerë.

Si për ironi, FIFA duket se ‘snobon’ botën e futbollit: pas një sezoni të gjatë, përtej Atlantikut, me qindra miliona në lojë. Snoboi thirrjet e lojtarëve dhe i ofroi klubeve stimuj milionësh — duke shndërruar spektaklin, pasionin dhe dëshirën në një mall tregu. Prej dekadash ka perceptim—jo pa bazë—se FIFA dhe UEFA e kanë prishur lidhjen me njerëzit e thjeshtë, duke përqendruar gjithçka te fitimet.

Dhe ky model po e ndjek tashmë edhe FSHF-në. Në fakt, është e drejtë e tyre të veprojnë kështu; por problemet lindin kur dikush e shfrytëzon federatën si pronë personale. Arroganca e pushtetit ka kaluar çdo kufi.

Federata përjashton tifozët nga stadiumet ku luan Kombëtarja, duke i privuar ata nga loja e tyre, ndërsa lojtarët trajtohen si “pronë”. Koncepti i “fanellës kombëtare” është zëvendësuar nga ai i markës “Macron”.

Kush beson se Kombëtarja do të ndreqet me një “mea culpa” në verë, veçanërisht pas barazimit në Letoni, gabon rëndë. Kjo skuadër nuk ka më shpirt, sepse nuk është e lidhur me njerëzit — por me interesat e një individi. Ky i fundit nuk dridhet nga akuzat për privatizim; përkundrazi, lumturohet kur dëgjon ato — një sjellje përvëluese dhe shqetësuese.

Nga Pirro Bardhyli