Skuadra e Pep Guardiolës po përgatitet për një sezon të ri me investime të mëdha në merkato. Që nga janari, Mançester Siti ka shpenzuar plot 346.3 milionë euro për nëntë përforcime të reja, duke treguar se nuk kursen aspak për të rikthyer dominimin e tij në Angli dhe në Europë.
Pas një sezoni jo të suksesshëm, ku City përfundoi e treta në Premier League, doli herët nga Champions League dhe humbi finalen e Kupës së Ligës ndaj Crystal Palace, Guardiola e pranoi se skuadra duhet të ndryshojë dhe të marrë vendime të rëndësishme. Investimet e para në janar arritën në 218 milionë euro, me blerjet e Marmoush (75 mln), Nico González (60 mln), Khusanov (46 mln), Vitor Reis (37 mln) dhe Juma Bah (6 mln). Por vetëm Marmoush arriti të gjejë vend në ekip. Në merkato këtë verë, City ka shpenzuar edhe 128.3 milionë euro për lojtarë si Bettinelli (falas), Aït-Nouri (36.8 mln), Cherki (36.5 mln) dhe Tijjani Reijnders, mesfushor i Milanit, për të cilin paguan 55 milionë euro plus 15 milionë të tjera variabla.
Përveç lojtarëve, Mançester Siti ka sjellë edhe Pepijn Lijnders, ndihmësin e Klopp, për të zëvendësuar trajnerin e skuadrës rezervë Lillo. Në tërësi, nga janari janë bërë nëntë përforcime me shifra rekord dhe nuk përjashtohet mundësia e blerjeve të tjera. Por ndërkohë, Guardiola kërkon të reduktojë numrin e lojtarëve në skuadër, duke paralajmëruar se nëse nuk largohen disa prej tyre, ai do të largohet vetë.
Ndër lojtarët që duket se nuk janë pjesë e planeve për sezonin e ri dhe janë ftuar të gjejnë skuadra të reja janë McAtee, Grealish dhe Walker. Mançester Siti nis kështu një fazë të re ndërtimi, me shpresën për të rikthyer sukseset dhe për të triumfuar sërish në Champions dhe Premier League.
sfidanti.al