Kombëtarja…një zhgënjim i madh

Barazimi me Letoninë është ndeshja që tregon realisht peshën dhe rëndësinë e skuadrës Kombëtare e tashmë ndoshta mrekullia nuk do të na mjaftojë për të ëndërruar Kupën e Botës 2026. Brenda tre ditësh, FSHF-së iu shkatërrua “lodra” me të cilën u mburrej tifozëve kuqezi, shqiptarëve iu venit dëshira për të ndjekur këtë skuadër pa grintë e karaktër, ndërsa kritikët vërtetuan teorinë e tyre se një “skuadër” është Kombëtare kur ajo i përqafon dhe nuk i përjashton të gjithë. Keqardhja shkon për ata që bazuar në foklorin e zhurmave dhe borive shpresuan që një grup djemsh të stërpaguar do të lehtësonin sado pak plagët e tmerreve që serbët u kanë shkaktuar shqiptarëve, ndërsa Sylvinho me shumë mundësi e ka mësuar tashmë pjesërisht fjalorin tonë të varfër në ide, dëshirë dhe profesionalizëm. Manaj të cilit javë pas jave i numërojmë bëmat në Turqi apo Asllani i Interit, Broja i Premier League dhe gjithë shokët e tyre, janë po aq njerëzorë sa edhe lojtarët e Superiores tonë të cilët ndoshta e meritojnë një shans me shumë sepse në fund të fundit kombëtarja duhet të jetë një amalgam i miksuar me të gjithë komponentët e skenës shqipfolëse. Pas Rigës nuk ka më dyshime: Kjo skuadër e fryrë nga vetë ne, sot na ka shfryrë dhe të gjithëve u ka bërë një nder të madh sepse në Beograd kemi luksin të shkojmë edhe si turistë.

Nga Pirro Bardhyli