A keni frikë nga arbitrat në javët e mbetura të kampionatit? Sikur këtë pyetje t’ia bënim ekipeve që pretendojnë për titull , nëse do të thonin atë që mendojnë, do të arrinim në përfundimin se kanë më shumë frikë kanë nga “demoni me të zeza” sesa nga vetë rivalët. Edhe nëse shpresojmë se këtë herë ka ndryshim skenari, zotat kanë ndryshuar sjellje, ato që kanë ndodhur në vitet e mëprashme na bëjnë tërë sy e vesh! Këtë javë, tamam në prag të ndeshjes Laçi me Vllazninë, shkodranët e thanë publikisht me anë të trajnerit të dytë, Plori, se arbitrat priten që të futen në lojë, në atë që trazon kartat e fatit të …fituesit!
Siç duket qënka akoma herët ose fjalët e Plorit në vesh të “perëndisë! Mjaftoi edhe një arbitër jo me shumë vitrinë, Kreshnik Bajramaj, që ta ndante me thikë në mes tortën e ndeshjes në Laç . Pikërisht në fushën, ku arbitrat zakonisht humbasin gravitetin e lojës, Bajramaj, për të cilin kolegët hedhin romuze për modelin e flokëve, i ka dhënë një shuplakë teorisë se vetëm arbitrat me stemë mund të mbajnë të tilla pesha. Një ndeshje ku arbitri i panjohur u bë disi familjar ,vetëm e vetëm duke ndenjur një hap prapa futbollistëve, pa u bërë protagonist…
Të na fal i madhi, presidenti Duka, sepse ai mendon krejt ndryshe, madje na e freskoi “filozofinë” e tij edhe pak ditë më parë kur tha në një emision televiziv :
“ Arbitrat janë gjithnjë një hap para karshi futbollistëve”. Po të bazohesh tek ato që kanë ndodhur, kjo thënie është sa e vërtetë po aq edhe e hidhur. Nëse do të donim që loja që gatuajmë të kishte pak më shumë nder dhe besim, do të ishte arbitri që t’u shkonte futbollistëve një hap pas dhe jo një hap para, siç thotë maestroja ! Sepse ky lloj “kërcimi” pëlqehet nga shumica, por, zakonisht, muzika që u vihet arbitrave duket se shijohet nga pakica, mos themi që është si një ..muzikë dhome!
Sfidanti.al