Ishte vetëm një sukses, madje tepër i vuajtur, dhe pritej tjetër gjë pas paraqitjes negative në Madrid në Champions. Gjithsesi, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, u shpreh entuziast pasi ekipi tij siguroi tri pikë shumë të vështira ndaj Aston Vilës duke qenë në pretendime për kualifikim në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Kampionët e shkurorëzuar të Anglisë pësuan gol të parët në “Anfild”, pastaj VAR-i iu anuloi barazimin e Firminos e Salah humbi një rast të pabesueshëm, por më pas epërsia e tyre bëri të vetën. Salah barazoi dhe në sekondat e fundit Trent Aleksandër-Arnold siguroi fitoren me një gjuajtje “predhë”. Mbrojtësi i krahut shkëlqeu edhe javën e kaluar në Premier, por gaboi rëndë në ndeshjen me Realin.
“Ne e dominuam ndeshjen, – tha Klopi, – por bëmë një gabim dhe u ndëshkuam. Në pushim, atmosfera nuk ishte shumë e mirë, por nuk qe nevoja t’i nxisja shumë lojtarët, pasi ata e dinin se nëse vazhdonin ashtu, rezultati do të vinte. Ishte një fitore e madhe, një lehtësim i madh. Ne i kemi vendosur ekipet e tjera nën presion, pasi ata e dinë se kur ne nisim një seri fitoresh, jemi të rrezikshëm”. Liverpuli fitoi 2-1 me Aston Vilën dhe ka 52 pikë duke qenë në vend të pestë.
Sfidanti.al