Shpëtoi futbolli i madh, trukuesit u shpikën tek .. “futbolli i vogël””

Dikur trukonim nga sipër, vetë shefat, dhe ata që e pësonin ishin poshtë, siç ndodhi me ekipin e Skënderbeut, (i cili akoma po vuan dënimin 10 “maraton” 10 vite). Tani ndodh e kundërta, trukojnë ndeshjet ata poshtë dhe ne rolin e gjahtarit janë ata lart! Më në fund u kap grupi “armiqësor” i futbollit, ata që i paskan shpëtuar Sport-Radarit, kompania që na gjurmon prej vitesh sapo dalim në fushë, dhe shqyqyr zotit nuk qënkan ekipe të Superligës, por ata fukarenjtë e Kategorive më poshtë.

Ishalla nuk na marrin për budallenj, kaq sa dukemi ! Kemi dënuar me 5 vite përjashtim nga kampionatet Bulqiza, Gramshi dhe Internacionali për trukime ndeshjesh dhe nje zot e di se kush i blinte ndeshjet e tyre. Madje njëra nga ndeshjet është edhe për “Ginesin shqiptar” kur skuadra ka hapur “saraçineskën” e golave dhe ndeshja Bulqiza –Veleçiku është përmbytur me 15 gola. Madje Komisioni ne FSHF paska dalë perfundimin se Bulqiza ka shitur futboll edhe me shumë se ..krom!

Po cili është mëkati që kanë bërë: gjetën treg per shitje ndeshjes në Azi apo i shitën me çmimet e “gabit” tone te futbollit? Dhe në FSHF , zyrtarët që militojnë në super-godinën e re, ku edhe arkitektura e jashtme ka pamjen e një skedine X-sa, kanë vite që po kërkonin disa viktima të gjora që do te “vriteshin” në luftën për trukime. Tani UEFA mund te flerë e qetë, pasi sa herë që shkonte presidenti Duka në mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv te UEFA-s, e pyesnin me ngut: Na i solle emrat?!

Sfidanti.al