Salihi i dënuar dy herë: fillimisht nga taktika, pastaj edhe nga fati i keq

Nëse Salihi nuk arrin të shfaqet në fushë në ndeshjen me Luftëtarin, atëherë do të jetë dy herë i dënuar këtë sezon: në fillim nga skemat taktike të trajnerit Agostineli, e pastaj nga fati që nuk është me të, kur i shkakton edhe dhimbje në këmbë, pas një kontraktimi në stërvitje. Pas dhimbjes shpirtërore, ku prej javësh mungonte protagonizmi i tij cilësor i pasqyruar me gola dhe lodrime para portës kundërshtare, nuk do të mungonte as dhimbja fizike. Në Shkodër e dinë se kur vjen e keqja, duhet t’i hapësh portën. Po cili se? Ai që hapte portat me gola brilantë, pasi kishte humbur në fushë duke bërë lloj lloj punësh skllaveruese, vetëm gola jo, ka pësuar gol në portën e tij…

Thonë se fati nuk është i njëjtë për të gjithë futbollistët, sidomos kur flitet për një njeri të heshtur, gjuha e vetme e të cilit ishte gjuha e golave.  Një gjuhë ndërkombëtare për të, pasi ka shënuar kudo ku ka qënë, ndaj bën shumë përshtypje kriza që e mbërtheu me trajnerin Agostineli.  Nuk ishim mësuar ta shikonim duke vuajtur larg portës, as që mund të mendohej se golat e tij vareshin nga njeriu i stolit. Sido që të jetë puna, Agostineli, duhet ta dijë se Salihi nuk mund të trajtohet si gjithë të tjerët, ngaqë meriton një përkujdesje tjetër. Formula është e gatshme nëse italiani do të pyeste Josën, dhe punët do të shkonin paq nëse trajneri i ri do të ulej të shikonte me kujdes filmin “ Njeriu që flet vetëm me gola”. Siç duken bathët,trajnerët itaianë nuk përfaqësojnë ogur për shkodranin. De Biazi nuk gjeti një vend mirënjohje për të në listën e Europianit, kurse Andrea e ka prekur në shtyllën kurrizore të lojës..tek golat. Ishin shumë të  bukur për t’u shijuar dhe është torturuese ta shikosh  të çarmatosur dy herë, nga taktika dhe nga fati…

Gezim Sinemati