Liverpuli nuk do të rrijë gjatë pa njërin nga futbollistët e tij më të mirë. Filip Kutinjo, shkëlqimi i këtij sezoni në Premier Ligë dhe në kombëtaren e Brazilit, do të mungojë nga 5 deri në 6 javë pas dëmtimit të rëndë që pësoi në ndeshjen ndaj Sandërlendit. Frika ishte e madhe që lojtari ofensiv do të mungonte gjatë, megjithëse edhe tani vështirë se do të luajë në periudhën festive, pra në kohën nga 25 dhjetori deri në 10 janar. Braziliani bëri vizitat mjekësore në një spital të specializuar në Liverpul dhe verdikti i mjekëve ishte që një operacion nuk ishte i nevojshëm.
Gjithsesi, goditja për Klopin është e rëndë, pasi Kutinjo ka shënuar 6 gola në kampionat, po aq sa dy shënuesit e tjerë më të mirë, Roberto Firmino dhe Sadio Mane. Edhe Mane është i dëmtuar. Liverpuli do të jetë pa organizatorin në përballje të shumta dhe të rëndësishme si ndaj Bornemuthit, Uest Hemit, Midëllsbrout, Evertonit, Stouk Sitit, Mançester Sitit dhe Sandërlendit në Premier Ligë, por mund ta ketë Kutinjon në 15 janar në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit.