Grealish në telashe tek Evertoni

Jack Grealish është përfshirë në një tjetër polemikë jashtë fushës, pasi raportohet se ka kaluar dy net radhazi duke konsumuar alkool në lokale në Londër dhe Cheshire, vetëm pak ditë përpara se Evertoni ta përjashtonte nga skuadra për arsye disiplinore.

Sipas raportimit të medieve britanike, futbollisti 31-vjeçar e nisi mbrëmjen e 19 tetorit në ceremoninë “Pride of Britain Awards”, të zhvilluar në hotelin Grosvenor House në Londër. Pas përfundimit të aktivitetit, ai u drejtua në një lokal karaoke në zonën e Victoria-s, ku qëndroi deri në orët e para të mëngjesit, së bashku me disa miq. Grupi konsumoi pije dhe këndoi këngë.

Të nesërmen, pasi u kthye në veriperëndim të Anglisë dhe mori pjesë në stërvitjen e Evertonit, Grealish u pa sërish në një mbrëmje jashtë. Këtë herë ai qëndroi në pub-in irlandez “The Mucky Pup”, në Wilmslow, ku u bashkua me disa miq dhe shokë skuadre, mes tyre portieri Jordan Pickford dhe Tyler Dibling. Në tavolinë ishte edhe Kyle Walker, ish-shoku i tij te Manchester City dhe kombëtarja angleze. Sipas dëshmitarëve, grupi ndoqi ndeshjen PSG-Barcelona në një ambient privat të lokalit, ndërsa konsumimi i pijeve vazhdoi gjatë mbrëmjes.

Këto dalje ndodhën më 19 dhe 20 tetor, ndërsa një javë më vonë Evertoni konfirmoi se Grealish ishte lënë jashtë skuadrës për shkak të një problemi disiplinor. Ai mungoi në fitoren ndaj Newcastle në Kupën e Ligës, ndërsa trajneri David Moyes u shpreh se mbështeste vendimin e klubit.