Sa herë ia ke dredhur dashurisë së vetme, Kombëtares, zoti president!

Më mirë të mos i kishte thënë ato fjalë presidenti Duka,  por edhe nuk duhet të nxitohesh, ngaqë  ai është një mjeshtër për të ngacmuar nervat  e popullit të mbijetuar të futbollit, ndofta  kjo e bën edhe më të lumtur. “ Nuk kam patur besim tek trajneri? De Biazit i dhamë dashurinë e jetës, Kombëtaren..”  Një përgjigje tepër romantike  për disa akuza që nuk i kishim dëgjuar më parë nga goja e Xhanit si “ ndokujt  i prisha festën e shkarkimit me fitoren në Izrael”, apo tjetra “ kjo ndeshje ishte si një kockë që të mbetet në grykë”.  Sikur këto fjalë t’i kishte thënë një trajner tjetër, në një përfaqësuese larg  tokës sonë, do të kishte merituar shkarkimin për alibinë e rrezikshme ndaj  titullarit,  por shef Mando zbythet në këto momente …sepse memecit i erdhi goja.  Tamam, mu  në Tokën e Shenjtë. Na kishin treguar historitë e vjetra për mrekullitë që ndodhin në Izrael,  por kjo e fundit është tepër e bekuar për shqiptarët.  Tre gola në fushë, që nuk besonim se mund të vinin as nga qeilli e as nga toka, po  shndërrohen në një fitil për finalen e hipokrizisë midis italianit orator dhe shqiptarit prepotent.  Të atij që flet për dashurinë e vetme të jetës,  së cilës ia ja ka dredhur për shtatë palë qejfe në këto 16 vite, pa na dhënë shansin të dëgjonim, sikur njëherë të vetme,  se ..ishte hera e fundit, ju betohem nuk e bëj më!

Në këto 16 vite, kemi parë dhe përgjuar  se  “dashurinë e vetme”, Kombetaren,  ia kemi besuar vetëm të huajve dhe qejfi më i madh ishte ,kur mezi prisnim fundin e filmit, atë çast kur  trajneri vritej nga dora e vetme e pabesë, nga ajo që çuditërisht është paralizuar me De Biazin. Ku Italian që dukej peshë e lehtë në fillim, mbetet  I vetmi që nuk i dha kënaqësinë “Makbethit të topit” për të kryer ritualin e shumëpritur nga oborri. Kjo edhe për meritën tonë, ngaqë nxituam ta bënim Xhanin sa më shumë shqiptar, aq më pak  italian. Ndaj edhe Zotat kanë besim se Xhani, ai shqiptari, nuk do t’i thotë të gjitha ato që populli kuqezi mezi pret t’i  mësojë, pikërisht nga goja e tij. Sikur të fillonim rrëfimin nga fundi , dhe jo qysh  nga fillimi, si u gatua humbja në Luksemburg, ku presidenti nuk ishte në stadium ngaqë  e dinte se çfarë do të ndodhte me “dashurinë e vetme të jetës”, dhe tjetra, tepër ngacmuese,  pse nuk tregohen publikisht disa fjalë të rënda trajnerit para ndeshjes me Izraelin, prejt të cilave shpëtoje  vetëm me një ndeshje të fituar…

G.Sinemati