Sa hap e mbyll sytë..Kukësi “fiton” dy humbje! Kjo me Partizanin..asimptomatike

Kukësi i Skënder Gegës duket sikur vazhdon akoma “bojkotin”, pasi në 2 javët e para të kampionatit, është dorëzuar pa bujë dhe pa lavdi para Tiranës në javën e parë dhe ndaj Partizanit në të dytën.  Dy humbje në start për Kukësin,  dhe pse  nuk janë fundi i botës në një kampionat që e ka magazinën plot  me “përmbysje” , vijnë edhe si përgjigje për trafikun kontravers që ndodhi në këtë sezon.  Ikën shumë futbollistë që krijonin kolonën kurrizore të lojës së nënkampionëve dhe erdhi vetëm një “magjistar”, trajneri Skënder Gega,  për të cilin u tha se..mjeshtri  e gatuan brumin “kampion”, edhe kur nuk janë përbërësit!

Thonë të mënçurit se një pyetje e mirë e ka marrë gjysmën e përgjigjes, po një pyetje e keqe  në cilin hendek na dërgon? Dhe pyetja e keqe, fill pas humbjes me Partizanin, gati edhe më e keqe se vetë loja e Kukësit, iu drejtua trajnerit Gega në këtë formë: “ A keni senatorë në ekip?”. Dhe në një futboll plot me halle, ku ekonomia e kampionatit  troket në derën e komshiut për “farë kosi”, na fluturon mëndja për të gjetur futbollistë senatorë. Pra,  kërkojmë  me lupë  ata që pagëzohen  si   ligjbërës, dhe jo nga  ata që na nevojiten për të mbajtur gjallë shpirtin e lodhur të  agrës , ata që njihen zakonisht me  përcaktimin   .. proletarët e futbollit!

Dhe kur humbjet ndodhin  në kohë epidemie, ngushëllohemi kur na duken të ndryshme me njëra-tjetrën, sa me gjuhën e kohës mund të themi se kjo e fundit me Partizanin  ishte.. asimptomatike. Kur humbën me Tiranën, Gega e blasfemoi  90 minutëshin e ekipit të tij. Kurse kjo humbja e dytë me Partizanin , ishte më e pranueshme sepse Kukësi u bë i gjallë në pjesën e parë dhe e vonoi  dorëzimin për në pjesën e dytë…

Sfidanti.al