Një tjetër fitore, mbërritje fare pranë kreut të renditjes, dhe një Harri Kejn i shkëlqyer. Zhoze Murinjo nuk do të donte më shumë se kaq nga Totenhemi i tij, të paktën për momentin, ndonëse trajneri famëmadh portugez ka gjithnjë si synim trofetë. Suksesi 1-0 në fushën e Uest Bromit tregoi se tekniku e ka mbrujtur ekipin londinez me karakter të fortë, dhe të paktën për momentin po përballon me sukses vështirësitë.
“Jam i lumtur me pikët që kemi, – theksoi Zhoze, pas triumfit minimal, – kemi tre fitore radhazi për herë të parë këtë sezon. Nuk dua të shoh rezultatet e Leisterit dhe Liverpulit. Kemi fituar 10 nga 12 pikët e fundit, pra kemi kompensuar pikët që kemi humbur më parë në shtëpi. Kemi marrë dy fitore 1-0 jashtë fushe, me Bernlin dhe Uest Bromin, që tregojnë se jo gjithnjë mund të luash bukur, por gjithnjë duhet të fitosh. Kjo skuadër mund të dalë kampione në çdo kampionat të Europës, por Anglia është e vështirë”. Harri Kejn arriti në 150 gola në Premier Ligë dhe 201 rrjeta për Totenhemin.
Gjithsesi, në vend të parë në Premier Ligë është Leisteri dhe trajneri Brendan Roxhers është heroi i ditës. “Dhelprat” fituan 1-0 në shtëpi ndaj Uolvesit, në një sfidë të fortë të vendosur nga penalltia e Xhemi Vardit. “Çdo ditë e më shumë më rritet admirimi për lojtarët e mi, – tha tekniku, – ne ishim të jashtëzakonshëm në pjesën e parë, ndërsa rezistuam pas pushimit. Kemi pasur shumë dëmtime, por ia dolëm. Do të jetë një sezon i madh”.
Sfidanti.al