“Prishen” arbitrat tek pika e bardhë, ishalla s’ndodh tek ..Derbi!

Edhe një trajner me përvojë si Shpëtim Duro kujdeset që zemërimi të mos dalë nga shtrati i  lejuar, edhe pse arbitri e ka shpuar ndeshjen mu tek pika e bardhë. Dëgjoni fjalët e Duros pas humbjes në Durrës me Teutën: “  Këto janë nga ato penallti që arbitri mezi pret t’i japë nga qejfi! Edhe në Ballsh, edhe këtu e njëjta gjë..” Pyetja që lind.. sa herë jemi tek pika e bardhë për meritë të arbitrit dhe jo të lojës, është e vjetër dhe kalon pa përgjigje:  kjo sëmundje virale e penalltive i takon Jorgjit dhe shokëve të tij apo diktohet nga ata lart, nga ata  që fusin duart ne ruletin  e  ndeshjeve?

Edhe në Gjiroskatër po qajnë për një penallti “shkencore”  në fundin e ndeshjes, ku përfituesi , dhe jo për herë të parë, ishte Laçi i Starovës. Trajneri  që dikur si  viktimë e preferuar e qëllonte sistemin kur shkrepte penallti që të mpinin kokën dhe këmbët .  Në këtë rast, nuk duhej stema e FIFA-s për të sajuar marifetin  nga pika e bardhë, sepse mjafton edhe një arbitër me emër liliput si Ferataj.  Ç’ ishte kjo penallti  e turpshme, që na ishte fshehur në fund të ndeshjes? Kështu pyesin në Gjirokastër , kurse klubi i Luftëtarit , më në fund…ka flakur uniformën e ushtarit të bindur te shefave,  duke kërcënuar se “ do të braktisë garën e kampionatit” . Sa herë e kemi dëgjuar këtë thirrje nga viktima të ndryshme ndër javë, aq më shumë na nxitet  ideja  se  nëse do të mungonin gafat spektakolare të arbitrave, me ato  penalltitë që zbresin nga zyrat poshtë në fushë, futbolli ynë do të varferohej nga ligesitë…

Tani le të shohim dhe Derbin në mbrëmje, me frikën bilogjike nëse “armiqtë” e vjetër, Partizani dhe Tirana,  do të përlasin brirët me inatin historik apo do të futet në brendësi të lojës edhe i dërguari i ..djallit!

Sfidanti.al