Që të lësh rivalët në bisht në një garë të gjatë për titull, duhet jo vetëm të fitosh ndeshjet e tua, por edhe të shpresosh që kundërshtari të bëjë gabime. Bajernit po i ecën mbarë për të dyja, ndonëse sezoni që po zhvillon nuk është “i panjollë”. Fitoi me shumë vështirësi në fushën e Paderbornit modest, 3-2, ku pati përballë edhe lojtarin kuqezi, Klaus Gjasula. Serg Gnabri, Filip Kutinjo e Robert Levandovski shënuan golat, por më i miri ishte braziliani që shërbeu edhe asistin e golit të parë.
Hareja bavareze u bë e plotë kur, disa orë më vonë, pretendentja e vetëshpallur për titull, Borusia e Dortmundit u ndal në fushën e saj. Verderi i mori pikën në “Signal Iduna Park”, madje kaloi në epërsi me lojtarin e Kosovës, Milot Rashica. Edhe pse Gëce e Rojs përmbysën shifrat, Marko Fridl goditi në 55’ duke barazuar, dhe Dortmundi nuk pati forcë të fitonte.
“Nuk di ta shpjegoj se përse nuk po fitojmë, – tha trajneri verdhezi, Favre, – duhet të jemi më të vëmendshëm e të kemi më shumë ambicie”. Trajneri i Bajernit, Kovaç, ishte më i qetë, ndërsa u shpreh se “në Bundesligë nuk ka ndeshje të lehta, por skuadra jonë këtë vit është më formatuar sesa vjet në këtë kohë”.
Sfidanti.al