Borussia Dortmund me një nismë të pazakontë për futbollin modern, duke iu kërkuar tifozëve të mos përdorin telefonat celularë gjatë ndeshjeve.
Para takimit me Eintracht Frankfurt, Dortmundi nisi një projekt që shpërblente tifozët për mospërdorimin e telefonave në stadiumin “Westfalenstadion”, me kapacitet 82 mijë vende. Përmes aktivizimit të funksionit “Fan Mode” në aplikacionin e klubit, tifozët grumbullonin pikë dhe mund të fitonin çmime, përfshirë fanella me autografë e kupona për dyqanin e klubit. Nisma është pritur pozitivisht në Gjermani, ku përvoja e ndjekjes së ndeshjeve në stadium, ende konsiderohet traditë e rëndësishme për miliona tifozë.
Rregullat e veçanta të qeverisjes së futbollit gjerman, që kufizojnë investimet e jashtme dhe kërkojnë që klubet të jenë në pronësi të anëtarëve të tyre, kanë ndihmuar në ruajtjen e atmosferës tradicionale në stadiume. Përfshirja e tifozëve në vendimmarrjen e klubeve e bën “përparësi” ruajtjen e kësaj përvoje .

