Nejmar krahason tifozët e Paris SG me femrat: Ndonjëherë grindesh!

Një tjetër gol, një tjetër fitore, ndonëse relatat me tifozët vazhdojnë të mos ngrohen siç duhet. Nejmar mbetet ylli më i rëndësishëm për Paris SG, siç e tregoi në ndeshjen e Ligës së Parë në Bordo, ndonëse problemet nuk i mungojnë. Braziliani, që u bë vendimtar për fitoren e tretë në 4 ndeshjet e fundit në Francë, mbetet në marrëdhënie të vështira me publikun kryeqytetas, ndonëse ai vetë përpiqet të jetë “filozofik”.

“Marrëdhëniet me tifozët ngjajnë ndonjëherë me ato me femrat, – u shpreh sulmuesi, – ndodh që grindesh me to, pastaj pajtohesh. i kuptoj mirë tifozët dhe e di se për ata ishte e rëndë ajo që unë doja të bëja. Veçse, tani e tutje unë jam lojtar i PSG-së. Nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për ta. Jam mësuar të më vërshëllejnë gjatë gjithë karrierës”. Keqardhja e vetme e Nejmarit ishte që sjellja e tifozëve do ta bënte të ndihej në çdo ndeshje sikur të ishte jashtë fushe. “Është një mëkat i madh, – tha ai, – por, unë nuk kam asgjë kundër tifozëve”.

Sfidanti.al