Mos u merrni me Klopin, përpara tij mund të largohet Guardiola!

Liverpuli trembet se do të duhet të gjejë trajner tjetër në verën e vitit 2022. Atë kohë mbaron kontrata e Jurgen Klopit, dhe gjermani është treguar ngurrues për rinovim, veçse në Angli ekziston një klub tjetër që mesa duket është edhe më shumë në telash. Ky klub quhet Mançester Siti, kampioni në fuqi dhe rivali i Liverpulit në garën për titull. Përse vallë qenka në hall klubi i sheikëve?

Pep Guardiola, sipas mediave britanike, nuk pritet të rinovojë kontratën që përfundon në 2021, pra një vit përpara mbylljes së akordit të Klopit në “Anfild”. Duket e habitshme që katalanasi të mos vazhdojë në “Etihad”, ku po korr suksese të mëdha me dy tituj kampion radhazi dhe 5 trofe sezonin e kaluar, por e vërteta qenka pikërisht kjo.

Jo vetëm kaq, pasi nëse Liverpuli ende po mendohet për të gjetur një pasardhës, tek Siti duket se e kanë tashmë. Ky është Giovani van Bronkhorst, ish-ylli i Holandës, që ka punuar si trajner në ligën holandeze me Fejënordin. Fillimisht si ndihmës i Ronald Kumanit, dhe pastaj si teknik i parë duke fituar titullin kampion në 2017 dhe dy kupa të Holandës. Van Bronkhorsti kishte një muaj me leje të plotë në çdo sektor të klubit, dhe tani paska firmosur kontratë me pushtet të gjithanshëm. “Deili Mirror” njofton se holandezi është mik me drejtuesit e Sitit, Feran Soriano e Çiki Begiristain, pasi ka luajtur me ta tek Barcelona.

Sfidanti.al