Po vjen Italia, pritet “uragani Mando”, ai që përpin biletat.. .dhe stadiumin!

Sa herë që toka jonë e futbollit përgatitet të mbajë peshën e një ekipi të madh, nga ato që më shumë na janë shfaqur në ëndërr sesa në fushë, frika më e madhe nuk vjen nga ajo që do të ndodhë në fushë, por nga “uragani” që përlan biletat dhe që na bën stadiumin edhe më të vogël nga ç’është. Por,  ndryshe nga Amerika që përgjithësisht i pagëzon me emra femrash urganet, ky “uragani i biletave” që ndodh sa herë që vijnë ekipet e mëdha, mban emër burri dhe jo të çfarëdoshëm në listen tonë.  Mban  emrin e shkurtuar  të presidentit tonë “uragani Mando” , me frikën e të cilit jemi mësuar prej 16 vitesh, krejt të pafuqishëm për ta shpëtuar xhepin popullor nga kjo makutëri e babëzi e paparë, e cila nuk ndodh në stadiumet e tjerë të Ballkanit apo Europës.

Ndaj, kur luajtëm në Strumicë, shefat tanë biletashitës,  nuk kishin hallin e kilometrave që do të bënin për të gjetur fushën  e humbur të Maqedonisë, halli më i madh ishte tek çmimi i biletave.  Zyrtarët  kuqezi, mund t’i quani edhe shpirtzi,  të ushqyer me mentalitet matrapazi, pyesnin me habi njëri- tjetrin se si ka mundësi që me 10 euro të ulesh në zemër të stëdiumit, mu në tribunë, për të parë Kombëtaren më të shtrenjtë kur luan para  popullin te vet. Një Kombëtare që ta vret xhepin më pak kur e ndjek  nëpër  Europë, ku  bileta ka çmimin e arsyes dhe logjikës , ndryshe nga bileta  në stadiumet tona, që duket si një dorë që të futet në xhep dhe ta vjedh portofolin. Më e bukura është se ti e shikon hajdutin që ta merr portofolin dhe i thua me qortim: “ Kujdes herën tjetër, ke mundësi ta bësh edhe më bukur..”

Sfidanti.al