Le të kthehemi pas, tek një shkrim për kampionen e shpërfilluar nga vendi i saj, Luiza Gegën, vetëm e vetëm për të “vjedhur” një frazë: “ Sa më keq sillemi me atletikën dhe heronjtë e saj, aq më shumë ajo na shpërblen”. Çudia vazhdon dhe palët nduk ndryshojnë rolet. Një atletet me emrin Izmir Smalaj, pikërisht në garën e vitrinës, kërcim së gjati, është shpallur kampion i Ballkanit. Dhe ku? Mu në mes të Beogradit. Sikur e ka zgjedhur me porosi qytetin, për të çuar nga gjumi edhe politikën, e cila flirton me sportin vetëm në ditë medaljesh. Është kënduar himni i Shqipërisë dhe publiku vendas ka respektuar kampionin me shifrën e tij impresionuese, 7 metra e 98 m centimetra!
Është pagëzuar si një çudi befasuese gara e atletit shqiptar, që sfidoi lavdinë klasike sërbe, në garën më historike, ku ata janë mburrur me dekada me kampionin “ e përjetshëm” Nenad Stekiç, i dyti pas legjendarit Bob Bimen, me 8,45 m. Sikur në vëndin e Izmirit ta dinin se çfarë do të thotë të fluturosh 8 metra, me siguri festa për ngritjen e flamurit në Beograd, do t’ia kalonte “festës zyrtare” për ngritjen e dronit. Po të ishte kështu, do të mblidhnim edhe mëndjen se është atletika mbretëresha e sportit, kurse kurora që mban futbolli është një iluzion, një shije e trukuar me shumë para dhe të pavërteta.Madje, aq sa thuhet se futbolli të gëjnjen aq bukur, sa edhe vetë politika ndjen zili nga kjo magji ..
Një magji që e provuam edhe në Europianin e fundit, ku edhe pse nuk e mësuam dot se në cilin vënd u renditëm, të gjithë besuan dhe harbuan se, në një farë mënyre, e kishim fituar edhe ne trofeun bashkë me Portugalinë. Ndërsa për Izmirin nuk ka ligj për premio kur del kampion i Ballkanit, sepse jepen vetëm kur del kampion i Europës apo i Botës, për futbollin portat e ligjit hapen me aq bujari, madje më shumë sesa na lejon varfëria atipike. Por, më e bukura, atletika nuk ka kundër vetëm politikën, në favor të saj nuk është edhe shkenca sportive, atje ku mburremi si vendi me pjellorinë më të madhe me tituj profesorë dhe doktorë.
Thonë, nuk dihet se sa e vërtetë është, qënka bërë një studim për Luiza Gegën dhe Izmir Smalajn, përfundimi i të cilit të lë me gojë hapur. Nëse dy kampionët e nderuar do të kishin kushte, me një fjalë pistë moderne për t’u stërvitur, plus edhe premio për arritjet e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare, rezultatet e tyre do të zhgënjenin. Kur nisen nga mjerimi sportiv janë më të motivuar për të garuar, ndaj do të ishte mëkat që të ndryshonim stilin. Ndaj edhe nuk festojmë dot me opiumin “ o sa mirë me qenë shqiptar” kur dalim të parët në Ballkan, edhe pse në Beograd, atje ku goli i Kushtës dhe droni që i dha “heroizëm” një ndeshje të prishur, nuk krahasohen dot edhe sikur të ngjitesh në podin e nderit në një sport tjetër.
Gezim Sinemati
Botuar në gazetën Panorama Sport