Kapeni hajdutin! Britma e presidentit Gjici s’ka emra “lojtarësh”

Kapeni hajdutin se na vodhi ndeshjen! Kjo është britma e presidentit Gjici të Kukësit dhe ai që ka guxuar të futet në “kuletën” e 90 minutave të ndeshjes së fundit , duke shpikur një penallti të paskrupullt  për Laçin , qënka arbitri Klajdi Kola. Dhe kur bie fjala tek Laçi, çunat me të zeza janë gati të  bëjnë garë me njëri tjetrin  se cili do të bëjë poza më të bukura tek pika e bardhë e penalltisë..

Çfarë nuk dëgjon nga goja e presidentit Gjici! Për turpet që po shtohen nga java në javë në kurriz të Kukësit, për një ndëshkim të kordinuar  fjollë  nga disa të “panjohur”   lart nëpër zyra,  për një ligësi të kulluar që e ka zanafillën prej shumë javësh në këtë sezon, për kamikazë  që po provojnë me sukses  sa mban kurrizi i Kukësit,  për një maskaradë  që nuk dihet se ku dhe kur  e ka fundin..

Akoma na kumbojnë veshët : Kapeni hajdutin! Po cili më mirë se Safeti nuk  e di ekuacionin  se  vjedhjen që bëjnë poshtë në fushë arbitrat, e kanë kurdisur mjeshtrat e ruletit   që komandojnë nga lart.  Pse nuk e ditka Safeti dhe pret ta mësojë  nga  “ata që kapin topat pas porte”  se sa më lart  të ngjitesh tek “burimi” nga vjen mëkati ,aq më shumë turbullohen ujerat e lojes.  Sikur të ishte vetëm i turbullt do ta quanim fat , por është dhe  i helmuar!  E dimë të gjithë, e pimë çdo javë, se jemi mësuar me helmet, por kur na dhemb barku fillojmë e thërrasim me të madhe..për emra të vegjël arbitrash..

Sfidanti.al