Ibra ose e ka harruar geton, ose nuk ka jetuar kurrë në geto në Suedi!

Disa vjet më parë, superylli i futbollit akuzoi për racizmin e fshehur apo të hapur në vendin e tij të lindjes, duke theksuar se ai nuk merrte trajtimin që meritonte. Një klithmë e një njeriu, prindërit e të cilit vinin nga Ballkani, dhe që nuk ishte e lehtë të pranoheshin 100 për qind në vendin e shkëlqyer skandinav. Kjo ishte një luftë për veten dhe Ibra nuk ngurroi ta luftonte.

Në bregun tjetër të Atlantikut, Lebron Xhejmsi ka ngritur disa herë zërin për përvojën e tij të getove zezake, ndërsa ka vazhduar luftën për ato që i quan padrejtësi ndaj zezakëve të tjerë në SHBA, që nga vrasja e Briona Tejlërit, e Xhorxh Flojdit, Rejshard Bruksit, Andres Guardados, Divon Bejlit, Xhejkob Blejkut, Daniel Prudit e shumë të tjerëve. Lebroni vendosi ta bënte luftën edhe për ta.

Zllatan Ibrahimoviç, i pakënaqur me sjelljen e Xhejmsit, kërkoi që ai të mos vazhdonte të bënte politikë, por të merrej vetëm me atë që bënte më mirë, me basketbollin. Lebroni iu përgjigj se nuk do të ndalonte kurrë së luftuari padrejtësitë, dhe i kujtoi se dikur edhe Ibra ishte ankuar për racizmin. Ylli i Milanit deklaroi se sportistët i bashkojnë njerëzit, ndërsa politika i ndan. Atëherë, mjaft yje të NBA-së kundërsulmuan duke deklaruar se Ibra ishte një njeri pa vlerë dhe pa ideale, e duke theksuar se lufta ndaj padrejtësive nuk është politikë. Me gjasë, Ibra ka harruar racizmin ndaj tij, ose nuk e ka provuar kurrë në nivelin e Lebronit e të tjerëve në SHBA. Gjithsesi, ai mbetet një kalorës i vetvetes, ndërsa Xhejmsi një kalorës i popullit.

Sfidanti.al