Futbolli ia hipën edhe ligjit! Duka talent për të blerë “arbitrat”..

Edhe i madhi i aktorëve, Kadri Roshi, do të merrte një leksion aktrimi nëse do të kishte jetuar për të ndjekur nga afër teatrin e Asamblesë së fundit të futbollit. Na pëlqen apo s’na pëlqen diktatura që ka mbërthyer futbollin, një gjë duhet ta pranojmë edhe pse të ligështuar: presidenti Duka është një mjeshtër për të blerë “arbitrat”! Dhe çfarë arbitrash! Të huaj dhe vendas. Më të madhin e UEFA-s, Ceferinin dhe me të madhin e politikës, zotin Rama, që mes një lufte të trukuar me gjykata e me shoqata, ranë në dashuri qysh me ..shikimin e parë në Kryeministri!

Ajo që ndodhi është fyerja më e madhe : si me një bilbil të një arbitri fuqiplotë u tërhoqën paditë nga Gjykatat . Dhe turpi nuk ndalet: Asamblea Zgjedhore do të mbahet pas disa ditësh. Nëse 4 vite më parë, i ndjeri Fino u tradhëtua në pjesën e dytë të “ndeshjes” në Asamblenë e atëhershme, këtë herë “goli” ishte lënë në minutat shtesë. Shefat e mëdhenj i vunë damkën : futbolli qëndroka më lart se ligji dhe gjykatat hapen dhe mbyllen si fizarmonikë për mëkatarët e futbollit, kurse për popullin e thjeshtë…portat bëhen 7 metra, sa.. ato të lojës.

I tradhëtuari më i madh në këtë mesele është vetë futbolli, i tradhëtuari më i “vogël” është kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, që i hyri detit të futbollit në këmbë, pa e ditur mire se ishte futur në një lojë pabesie, kur arti i tradhëtisë ngjitet në altar. Sidoqoftë, do të futen në “muzeun e pafajësisë” deklaratat e tij bombastike si ajo “ JO UEFA apo FIFA të vijë, por vetë Jezusi dhe Muhamedi nuk e ndalin dot luftën”, apo tjetra “futbolli është i vetmi ishull që na ka mbetur pa vënë në kontroll”. Dhe për këtë të dytën, Rama mund t’i thotë “nxënësit” : fol për vete !

Sfidanti.al