Edhe pse investohet shumë për të harruar shpejt , fjalët e trajnerit Gynesh të Beshiktashit nuk mund t’i marrë dot era jonë e amnezisë. “ Nuk është mirë që të kesh një terren kaq negativ në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Një terren më i mirë do t’i shkonte më shumë atij stadiumi…”
Askush më parë, nga miqtë, por edhe nga “armiqtë”, nuk kishte lëshuar fjalë të tilla akuzë, si trajneri Gynesh i Beshiktashit. Përcaktimin e pashpirt “terren kaq negativ” do të donim të mos e kishin dëgjuar veshët, sepse Gynesh nuk e di fare historinë tonë të lavdishme ..me stadiumin më të bukur, herë në Ballkan e herë në Europë.
Ku ta di trajneri Gynesh se fusha qysh në lindje ishte e sëmurë, dhe “zotat e barit” u kujdesën që ta bënim dhe më keq. Gynesh nuk paska parë një terren më negativ, por fushës së Air Albanias çfarë nuk i kanë parë sytë! Koncerte, ndeshje boksi, kuvende dhe kongrese politike, madje një autobuz Partie hyri në fushë për të na dëshmuar edhe një herë se ku shkelin ata nuk mbin bari…
Profesor Gynesh mbetet i vetmi që është ankuar me zë të lartë, pasi nuk e di, dhe nga ta di, se bari në stadium s’është më i rëndësishëm se kulla që mban mbi supe!. Pastaj, këngëtari grek Niko Vertis dhe Ermal Meta që erdhi nga Italia, u mrekulluan me stadiumin, me barine fushes dhe në fund fare…dhe me biletat e shitura!
Sfidanti.al