Në një kohë kur e gjithë bota ka burgosur me koshiencë jetën e vet, me qëllimin për ta shpëtuar, askush nuk mund të thotë më se halli i tij është më i madh se i dikujt tjetër. Këto ndoshta janë ditët më të papërshtatshme për të folur për sport, por në këto kushte izolimi, të gjithë kemi në dispozicion kohë me shumicë, për t’u shqetësuar se çfarë do të ndodhë kur t’i kthehemi sërish jetës normale, duke presupozuar se do të ketë sërish një të tillë. Ekspertët thonë, se Koronavirusi, përveç kokëfortësisë për të bërë sa më shumë dëme në shëndetin e njerëzve do të lërë pas edhe probleme të mëdha ekonomike, duke stimuluar kriza pothuajse në çdo sektor.
Ndërkohë që sporti, por futbolli në veçanti, i cili përfaqëson një industri jo pak të rëndësishme globale, ka filluar t’i ndjejë që tani efektet e para negative, megjithëse mjekët thonë se virusi nuk e ka arritur ende kulmin e agresivitetit. Situata duket edhe më frikshme, kur klube të njohura europiane po parashikojnë kolaps financiar, madje disa prej tyre kanë filluar tratativat për marrëveshje me futbollistët për ulje të ndjeshme të pagave, ndërkohë që kanë humbje nga të gjithë sektorët mbështetës.
Në Shqipëri, kampionatet janë ndërprerë në fazën e tyre më interesante, pikërisht kur kishin filluar të merrnin formë edhe verdiktet, ndërkohë që edhe këtu, pavarësisht se nuk mund të flitet për humbje nga shitjet e aksesorëve të imazhit, të drejtat televizive, apo reklamat, qëndron gjithsesi i tendosur një problem i madh. Nëse mungesa e korrektësisë në pagesa do e ndihmonte për ta bërë më të ashpër luftën e vet botërore, Korona nuk kishte pse të shkonte në Kinë, pasi ky virus është i stabilizuar prej vitesh në këtë cep të Europës. Ndërkohë që edhe Federata Shqiptare e Futbolli po mundohet të tregohet aktive në këtë kohë qameti, por me këshilla mjeksore nga doktori i Kombëtares, si dhe ka përgatitur përkujdesjen në distancë për futbollistët. Ndërkohë që ata dhe klubet e tyre duhen mbrojtur, pasi mjekët dhe trajnerët i kanë të gjithë në organikë, madje aq të zotë sa që nuk kanë nevojë as për leksionet që vijnë nga universiteti i FSHF-së. Tani enigma e madhe është, nëse futbollistët do të vazhdojnë të paguhen rregullisht. Në një kohë normale, institucioni luante kryesisht rolin e taksidarit, duke i vendosur çdo mesjavë gjoba klubeve, për çdo të çmendur që sajonte diçka në shkallët e stadiumit. Ndërsa tani është koha për të ndërhyrë me seriozitet në favor të njerëzve të fushës, duke u imponuar për të dhënë garanci. Të paktën duhet parandaluar skenari i Sionit, pasi në këtë vend nuk kanë munguar kurrë brutalë të kësaj kategorie, gjithmonë të gatshëm për ta aplikuar…