Ethet e mes-nëntorit, me transfertën në Andorra e më pas me sfidën e “luksit” kundër Anglisë — për të cilën misioni i një bilete duket pothuajse i pamundur — kanë nisur tashmë. Por nëse çështja e hyrjes në stadium për të parë nga afër “Tre Luanët” është edhe çështje xhepi, pra e atyre që e kanë më të thellë, ajo e fushës ndryshon paksa. Në katërkëndëshin e gjelbër nuk ka llogari, aty luhet vetëm futboll — dhe testi në qytetin e vogël të Andorrës është ndoshta më i rëndësishmi i vitit të fundit.
Sulejman Demollari e provoi shijen e keqe të një humbjeje turpëruese më shumë se 20 vite më parë, por kjo është një temë që nuk lidhet aspak me hallet e ditëve të sotme. Përballë Andorrës, Kombëtarja duhet të shkelmojë jo vetëm topin, por edhe sindromën e skuadrës “së vogël”, sepse këtë herë duhet të luajë kundër një të vogël tjetër — me objektivin për sulm efikas dhe jo mbrojtje hermetike.
Në Andorra, të gjithë do të jenë njëkohësisht të vegjël dhe të mëdhenj, sepse “skuadra e fshatit” nga Pirenejtë nuk ka asgjë për të humbur dhe gjithçka për të fituar. Më pas, të varur edhe nga një rezultat pozitiv i Anglisë ndaj Serbisë, do të presim skuadrën e Tuchel në Tiranë, ku historia dhe muzika ndryshojnë — dhe ku mund të rikthehemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë: mbrojtjen me çdo kusht dhe ndonjë sulm sporadik.
Brenda tre ditësh do të luajmë gjithçka — por jo Botërorin 2026, siç po na serviret — sepse më pas do të na duhen edhe dy fitore të tjera për të kaluar Atlantikun. Deri atëherë… ndoshta bëjmë mirë të mendojmë vetëm për Andorrën.
Nga Pirro Bardhyli

    