Viti i debutimit të Lewis Hamilton-it me Ferrarin nuk po shkon ashtu siç pritej, as për vetë shtatë herë kampionin e botës, as për skuadrën italiane dhe as për tifozët e Maranellos. Për 20 garat e zhvilluara këtë sezon, Hamilton nuk ka arritur të ngjitet në podium, një rekord jo vetëm i pakënaqshëm për të, por edhe për çdo pilot që ka vozitur për Ferrari. Situata e komplikohet më tej nga performanca më e mirë e Charles Leclerc, i cili po e tejkalon qartë kolegun e tij britanik. Një moment pozitiv ka qenë fitorja në Sprintin e Kinës në mars, por kjo nuk mjafton për të neutralizuar zhgënjimin e përgjithshëm.
Rikthimi i gjysmë sezonit të Formula 1 pas pushimit ka sjellë edhe spekulime mbi të ardhmen e Hamilton te Ferrari. Ai ka kontratë deri në fund të vitit 2026, por mediat italiane dhe ndërkombëtare, përfshirë ESPN dhe ‘Corriere della Sera’, kanë nisur të përmendin mundësinë që skuderia të mos e rinovojë kontratën dhe të sjellë si zëvendësues George Russell. Megjithatë, Hamilton nuk e ka prekur kjo lloj zhurme. Ai e mban fokusin tek puna e tij dhe procesi i përshtatjes në një skuadër krejt të re. Sipas tij, “Roma nuk u ndërtua brenda një dite”, duke nënkuptuar se suksesi kërkon kohë dhe durim.
Hamilton shprehet se përvoja e gjatë në F1 nuk e përgatiti plotësisht për ndryshimin që solli kalimi te Ferrari, duke shtuar se është e rëndësishme të përqendrohet te gjërat që mund t’i kontrollojë, të punojë me ekipin dhe të ruajë një qëndrim pozitiv. Ai refuzon të lejojë që sfidat e para të ndikojnë në motivimin e tij dhe thekson rëndësinë e balancës mes angazhimeve sportive dhe projekteve personale. Hamilton shprehet se kreativiteti dhe angazhimi në iniciativa jashtë pistës, si Mission 44 Foundation, ndihmojnë në mbajtjen e energjisë dhe fokusit, duke i dhënë kuptim më të gjerë jetës dhe karrierës së tij.
Në moshën 40-vjeçare, Hamilton vazhdon të mburret me arritjet jashtë pistës, duke përfshirë punën e tij humanitare dhe frymëzimin nga figura të tilla si Nelson Mandela dhe Michelle Obama. Ai e sheh vetë jetën dhe karrierën si një sfidë të vazhdueshme, ku nuk mungojnë betejat, por gjithmonë ekziston mundësia për të lartësuar standardet dhe për të ndikuar pozitivisht tek të tjerët.
Pavarësisht vështirësive sportive dhe thashethemeve për të ardhmen e tij te Ferrari, Hamilton mbetet i vendosur dhe i fokusuar tek objektivat, duke treguar një qasje të pjekur dhe të matur ndaj karrierës dhe jetës personale.
sfidanti.al

    