Edhe tradhëtia “kampione”: Tirana e “preu në besë” Vllazninë!

Paska radhë edhe për “tradhëti” ndaj trajnerit ! E mbani mend se si e larguan trajnerin Berdariç, gjermanin e fundit që kish “pushtuar” stolin e Vllaznisë? Apo nuk e mbani mend, pasi në futbollin tonë lakohet shpesh se mosmirënjohja është kulturë në anët tona. Sapo i dhamë duart Berdariçit, postin e tij e mori ndihmësi i tij, Plori. Kishte shkodran, si ish-trajneri Ser Dedja, që thonin se Plori duhet të kishte ikur bashkë me gjermanin, por kishte edhe dishepuj të klubit që thonin se shkodranin Plori e gjeti aty dhe nuk e solli paketë nga ..Gjermania.

..Dhe vjen një ditë, tamam andej nga fundi i kampionatit, kur kanë mbetur edhe 3 javë, Plori na qënka shkarkuar dhe në vend të tij është pozicionuar Mirel Josa. Pse nuk duruan edhe 3 javët e fundit të kampionatit, ata që hedhin zaret e fatit për trajnerin? Sepse kjo ndeshja e fundit me Tiranën e mbushi kupën. Kjo Vllaznia që pamë në ndeshjen me Tiranën, e teproi me sjelljen e saj, kishte ardhur për t’i rënë qylit në këtë 90 minutësh..

Plori iku, por fjalët e tij do të mbeten si kujtim : “ Futbollistët tanë kujtuan se Tirana nuk do ta luante këtë ndeshje.. meqë kishte dalë kampione!” Dhe sipas “parimeve” tona të futbollit , s’paska tradhëtuar Vllaznia tifozët e saj, por ç‘dreqin pati Tirana që u kurdis kundër shkodranëve, pse fut hundët se cili ekip do të shkojë në Europë…

Sfidanti.al