Barazimi në fushën e Uest Hemit do të thotë se Mançester Siti mund të shpallet sërish kampion i Anglisë, pa u ndaluar aspak nga Liverpuli, nëse fiton ndeshjen e fundit. “Qytetarët” ishin pranë humbjes me shifrat 0-2 të pjesës së parë, por pas pushimit u shpëtoi fitorja nga duart pasi Rijad Mahrez nuk ktheu dot në gol 11-metërshin e pritur nga portieri vendas, Fabianski. Bouen shënoi 2 gola për “çekiçët” në 45’ e para, pastaj Grilish dhe autogoli i Çufalit sollën barazimin. “Barazimi është një arritje e madhe e lojtarëve, – tha trajneri i Sitit, Pep Guardiola, – ata meritojnë lavdërimet më të mëdha, dhe titulli është në dorën tonë. Ne donim të fitonim, por Uest Hemi mbrohet shumë mirë. Në ndeshjen e fundit, do ta kemi stadiumin plot, dhe do të bëjmë çmos që të fitojmë”. Pas një jave, Siti pret Aston Vilën e trajnerit Stiven Xherrard e padyshim ish-kapiteni i Liverpulit do të bëjë të pamundurën që të ndihmojë të kuqtë e Klopit. Sit kryeson Premier Ligën me 90 pikë ndaj 86 të Liverpulit, por ka vetëm një ndeshje për të luajtur, ndërsa të kuqtë kanë sfidën në fushën e Sauthemptonit të martën.
Sfidanti.al