Pikërisht në këtë periudhë deçisive të ndarjes së verdikteve, në përgjithësi futbolli shqiptar errësohet nga dhuna, pazaret, apo gjykimet e urdhëruara të arbitrave, ndërkohë që sezoni i sivjetëm është pasuruar edhe me një element të ri… Ky kampionat është aq i lodhur, saqë njerëzit e fushës mezi po qëndrojnë në këmbë. Edhe derbi i djeshëm, në përgjithësi u karakterizua nga gabime të shumta në pasime të thjeshta, si dhe hapësira të mëdha boshe të krijuara në fushë, nga pamundësia e futbollitëve për t’i populluar. Sipas trajnerit Daja edhe shpërdorimi i rasteve të shumta vjen veçanërisht nga sfilitja e lojtarëve, të cilët nuk janë më të kthjellët nga koka te këmbët. E çuditshmja është se të gjithë ankohen gjatë prononcimet pas ndeshjeve, por askush nuk ka bërë qoftë edhe një lloj rezistencë publike, për këtë kampionat që filloi si gjithmonë me një fushatë reklamuese të shfrenuar dhe po përfundon duke e fshehur sa më shumë të jetë e mundur nga syri i publikut. Po luhet në ditë të pazakonta, ka qëlluar që çdo festë kombëtare të jetë edhe ditë futbolli, ndërkohë që për ironi janë fshehur edhe Liga e Shoqata e Futbollistëve, të cilat bëhen aktive vetëm ndonjë muaj në interest ë Federatës.
Në fakt, derbi ishte edhe shembulli më i mirë, se si futbollin e vendit po përpiqen ta mbajnë të mbyllur në një kuti hermetike të paajrosur dhe pa pamje nga rruga. Në kohën e fushatës për zgjedhjet parlamentare edhe FSHF u bë shumë aktive, duke treguar ndjeshmëri të lartë ndaj komunitetit. Në pag të ndeshjes me Anglinë u kërkua me nguln që në stadium të lejoheshin edhe tifozë, madje institucioni u bë shumë agresiv, pas vendimeve jo aprovuese të Komitetit të Ekspertëve. Për ndeshjen Partizani – Tirana u kërkua sërish të shihet mundësia që stadium të hapte dyert për tifozët dhe në fund u sqarua se nuk ishin klubet, por Federata që duhet të komunikonte zyrtarisht me të njëjtin Komision Ekspertësh. Por, një kërkesë e ngjashme si ndaj Anglisë nuk erdhi kurrë, pasi zgjedhjet tashmë kanë përfunduar, ndërsa këtij futbolli që ofrojnë nuk i duhen tifozë.