Çfarë turpi me Andorrën apo ishte “mashtrim” për Anglinë..?

Paska dashur edhe 1 gol tjetër në portën e Andorrës, trajneri Edi Reja, që ta shijonte më shumë ndeshjen, sa të lëpinte gishtat me  rezultatin dhe jo me shijen e keqe të  lojës! ! Le të tregohemi zemërgjërë dhe t’ia  dhurojmë dhe 1 gol për hatër të viteve mbi shpinë.  Le të hamë edhe një “koqe ulliri” më shumë…siç kemi bërë  me trajnerët e tjerë.  A do të mjaftonin edhe 2 gola  për të shërbyer si maskë për të mbuluar fytyrën e pabukur të lojës së Kombëtares. Dhe kundër kujt ? Ndaj Andorrës, që kur e gjetëm në vazo, atë  ditën e shortit, bëmë dasëm imagjinare  duke numëruar golat në portën e tyre!  Ama, kur na shfaqet në fushë, siç ndodhi mbrëmë, sepse beson  se “vaksina” e futbollit po na  jep efekt të kundërt: ne zvogëlohemi pa pikën e turpit, kurse Andorra gjen ditën ideale.. për t’u zmadhuar.

Dhe në një kohë krize, më shumë morale se sa pandemie, kemi hasur një diagnozë  plot cinizëm , sikur e  kanë bërë gati vetë zyrtarët për median  : Kombëtarja bëri detyrën! Cila është detyra?  Një gol në Andorra, e shoqëruar me një lojë mediokre dhe  që ka si engjëll mbrojtës, Edi Rejën, “magjistarin”  që ekipin me talente nga  Seria A dhe nëpër klubet e  Europës, e bën të duket si një skuadër pa orientim, pa bosht,  që lodhet duke kërkuar  busullën ! Është e vërtetë si drita që nuk  kemi  fytyrë në lojë, por,ama,  kemi  një zotësi jo shumë të nderuar ..të fusim  dorën në xhep dhe të vjedhim 3 pikëshin!

Sikur t’ia bënim edhe Anglisë të njëtin marifet, do të ishte një mrekulli kuqezi !  S’do prisnim Edi Rejën që të na gënjente si babaxhan sy më sy, sikur ka parë ndeshje tjetër, por do të bindeshim të gjithë se mjalti i sotëm në kosheren e  Kombëtares , ai që pagëzohet futbolli i kombit, matet vetëm me pikë sepse loja është një përrallë, që secili e tregon në mënyrën e vet. Ndaj, nuk është rastësi që një talent si   Kumbulla, sapo bëhet dora jonë,  i bie gozhdës duke thënë  se  lojën dhe golat i kanë ruajtur për ndeshjen me  Anglinë, kurse  Bare i bie patkoit se fajin e kishte fusha e keqe e Andorrës! Një fushë që dukej si lule në krahasim me fushën që kishim në Air Albania, të cilën Bare nuk arriti ta “shikonte” me sytë e vet…

Sfidanti .al