Barazimi i Partizanit ishte dramë, apo protestë kundër skenarit!

Fjalët e trajnerit Stavri Nica të Laçit të bëjnë të mendohesh dy herë, sepse herën e parë nuk mundesh ta zbulosh thumbin: “ Partizani nuk ishte agresiv, ndofta i kishte humbur shpresat”. Fjalë që meritonin përgënjeshtrim nga “demat”,  pasi lufta e tyre për titullin ka qënë me vepra e me fjalë kundër rivalëve në fushë dhe sistemit  despotik që ngjitet nëpër zyra, deri sa kulomohet tek shefi fuqiplotë Por, Starova, njeriu që zakonisht luan futbollin më pa dorashka para mirkofonit,  s’ka pranuar të zbulojë çfarë ndodhi me Laçin. Ndaj, trajneri Nica, ka privilegjin të shpjegojë edhe gjëndjen shpirtërore të Partizanit, ekipit që këtë sezon guxoi të luante edhe kundër djallëzisë zyrtare,  pasioni dhe vesi i së cilës është pengmarrja e garës. Në një kampionat ku të gjithë janë të shtrënguar  të godasin të vërtetën më shumë se topin,  nuk ka fitues por vetëm të humbur.  Dhe i humburi më fitues  moralisht ka qënë Partizani, lufta e të cilit ishte një amalgamë e paparë ndonjëherë: në fushë kundër rivalëve, ndërsa në skenën morale kundër presidentit që futbollin e mësoi keq qysh në fillim, sa është gati për të  thirrur publikisht: “ Topi është imi dhe loja është e imja..”

Edhe ky barazim me Laçin , që për shumë sportadashës ka qënë fatal dhe tejet dëshpërues,  madje disa vazhdojnë të mallkojnë shtyllën që pengoi golin e Bathës në fund, mund të deshifrohet edhe si një protest tjetër e “demave”. Një revoltë e kamufluar kundër skenarit të paracaktuar qysh në fillim, ku për rolin e viktimës kishin preferuar Laçin. Ekipin që Zotat  flirtuan disa vite me radhë,me hir dhe me pahir, deri sa erdhi momenti  i shumëpritur, ai më tipiku i qeverisë sportive, kur të tradhëtojnë me dajre. Disa, nga ata që tregojnë zell dhe pasion për ta shitur si të vërtetë përrallën e kampionatit,kanë veshur bluzën e doktorit të zemrës dhe nuk i tradhëton as zëri kur trembin ‘pacientët”, pra sportdashesit : kujdes nga infarkti, jeta nuk është e sigurtë deri në minutën e fundit. Minuta e tradhëtisë së madhe që do ta shndërrojmë në festë ..

 

Sfidanti.al