Xhanluixhi Bufon nuk është nga ata që fshihet, dhe gjithë bota e ka ditur se ai tymoste duhan. Gjithsesi, pas kualifikimit ndaj Monakos dhe arritjes në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Realit, ky ves i tij sikur bie më shumë në sy. Portieri i Juventusit dhe i Italisë u fotografua duke thithur një cigare, ndërsa ndodhej në makinë me miqtë, pas takimit të dytë gjysmëfinal. Kuptohet, tymosja e duhanit nuk i ka prishur aspak punë atij që mund të quhet si portieri më i mirë i botës në 15 vitet e fundit, edhe sepse Bufon nuk e tepron. Vetë forma e treguar nga ai, thotë vetë se italiani është shumë i kujdesshëm me regjimin e tij të jetës.
Pas ndeshjes ndaj Monakos, ai zgjodhi të shkonte dhe ta kalonte natën në shtëpinë e të fejuarës së tij, Ilaria D’Amiko, që është edhe prezantuese televizive në Itali. Më pas, u kthye në Torino, ku vazhdoi përgatitjet për ndeshjen ndaj Romës. Juventusi është thuajse i sigurt se do ta fitojë Serinë A, pasi ndodhet 7 pikë para Romës në renditje, veçse synimi i madh i Bufonit është Liga e Kampionëve, kompeticion që ai nuk e ka fituar kurrë në karrierë, dhe ku ka humbur dy finale.
Përsa i përket duhanit, duket se italianët e futbollit e kanë shumë për zemër. Ish-trajneri i Juventusit dhe Italisë, Marçelo Lipi, trajneri i sotëm i Bajernit, Karlo Ançeloti, Xhanluka Viali apo Mario Baloteli, e kanë këtë zakon.
Sfidanti.al